E vlefshme nga: 20/10/2023
INFORMACIONI PARAKONTRAKTUAL PËR KREDI PËR PERSONA FIZIKË
Hyrje- Ky informacion parakontraktual shërben për të ju ndihmuar që të kuptoni sa më mirë kushtet dhe afatet e kredisë, si dhe të drejtat dhe detyrimet tuaja, nëse Paysera e aprovon këkesën tuaj për këtë dhe nëse ju vendosni të hyni në këtë marrëveshje. Ky dokument ka karakter informues dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet obligim për Paysera-n që të ju lejojë kredinë. Shifrat e dhëna në këtë dokument bazohen në kërkesat tuaja për shumën, kohëzgjatjen dhe kushtet tjera për kredi, si dhe në informatat tjera që ju i keni dhënë Paysera-s. Në rast se pas pranimit të këtij informacioni parakontraktual, ju e ndryshoni kërkesën tuaj lidhur me shumën, kohëzgjatjen dhe kushtet tjera të kredisë, atëherë shifrat e dhëna në këtë informacion parakontraktual mund të ndryshojnë gjithashtu.
Produkti - Kredi konsumuese.
Kushtet dhe afatet e kredisë - - Më poshtë shjegohen kushtet dhe afatet e kredisë, të cilat bazohen në kërkesën tuaj për shumën, kohëzgjatjen dhe kushtet tjera të kredisë. Prandaj, siç është shpjeguar edhe në hyrje të këtij dokumenti, nëse pas pranimit të këtij dokumenti parakontraktual, kërkesa juaj për shumën, kohëzgjatjen dhe kushtet tjera të kredisë ndryshon, atëherë do të ndryshojnë edhe kushtet dhe afatet e shënuara më poshtë:
Shuma e Kredisë: 100 euro, 300 euro, 500 euro.
Kohëzgjatja e Kredisë: 1 muaj, 2 muaj, 3 muaj;
Norma e interesit: 2% (mujore) 24% (vjetore)
Norma Efektive e Interesit (NEI): 26.82%;
Tarifa administrative: 0.
Kësti mujor, dhe shuma totale për pagesë janë paraqitur me supozimin se kredia do të lejohet në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë. Prandaj, nëse kredia lejohet më vonë se data e nënshkrimit të marrëveshjes, apo nëse data e këstit të parë për pagesë e kalon afatin një mujor, atëherë kësti mujor dhe shuma totale për pagesë mund të ndryshojnë. Prandaj, shuma e saktë të këstit mujor dhe shuma e saktë totale për pagesë do të paraqitet në planin e pagesave, i cili do të jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes mbi kredinë.
Norma e interesit - Përqindja e normës së interesit do të aplikohet në bazë vjetore në shumën e borxhit kryesor/kryegjësë, dhe e njëjta do të mbetet fikse gjatë gjithë periudhës së kohëzgjatjes së kredisë. Për llogaritjen e normës së interesit do të përdoret numri aktual i ditëve kalendarike të muajit dhe viti me 365/366 ditë. Sidoqoftë, nëse Paysera ju ofron ndonjë interes preferencial, me kërkesën që ju të plotësoni kushte të caktuara të vendosura nga Paysera dhe ju nuk i plotësoni ato kushte, atëherë Paysera do të ndryshoj interesin preferencial në interes standard që aplikohet për të gjithë klientët e tjerë për llojin e kredisë që është lejuar për ju.
Norma Efektive e Interesit NEI - nënkupton koston totale të kredisë, të paraqitur si normë vjetore e vlerës totale të kredisë, përmes së cilës hyrjet e diskontuara të parasë së gatshme duhet të barazohen me daljet e diskontuara të parasë së gatshme. Për diskontim duhet të përdoret numri aktual i ditëve (kalendarike) të muajit dhe viti me 365/366 ditë. Norma efektive e interesit është llogaritur bazuar në supozimin që marrëveshja e kredisë është e vlefshme për periudhën e dakorduar dhe palët përmbushin detyrimet e tyre, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara me këtë marrëveshje. Në normën efektive të interesit nuk janë përfshirë shpenzimet e kërkuara nga palët e treta me qëllim të ekzekutimit të marreveshjes së kredisë, të shpjeguara më poshtë tek pjesa e kostos së kredisë.
Kamatëvonesa - Në rast të vonesës në pagesat e kësteve do të aplikohet kamatëvonesë në përqindje prej 1% në muaj (12% në vit) dhe do të llogaritet mbi shumën e kryegjësë së papaguar të secilit këst në vonesë. Kamatëvonesa do të fillojë të aplikohet pas ditës së 5-të (pestë), të secilit këst në vonesë dhe do të llogaritet nga dita e parë vonesës e deri në ditën e pagesës së plotë të secilit këst në vonesë. Prandaj, kësti mujor i shënuar më lartë mund të ndryshojë nësë vije deri te aplikimi i kamatëvonesës.
Kostoja e Kredisë - Të jeni të informuar se, ekzekutimi i kësaj marrëveshje, ka edhe shpenzime të cilat mund të aplikohen qoftë nga Paysera, qoftë nga institucione të ndryshme, dhe si të tilla nuk janë të përfshira në koston e përgjithshme të kredisë, apo në Normën Efektive të Interesit – NEI, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në:
a) Çfarëdo tarife që mund të aplikohet nga ana e Paysera-s për ndryshime të kushteve të marrëveshjes, siç janë lirimi apo zëvendësimi i pengut, hipotekës, Bashkë-Huamarrësit apo Garantuesit, gjatë kohëzgjatjes së kredisë, në përputhje me çmimoren e Paysera-s;
b) Shpenzimet e shkaktuara si pasojë e mospërmbushjes së kredisë nga ana juaj;
c) Të gjitha shpenzimet lidhur me menaxhimin e mospagesave të kredisë;
d) Çfarëdo shpenzimi tjetër të kërkuar nga institucione tjera lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshje, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj marrëveshje
Shpenzimet e lartpërmendura janë të obligueshme dhe se të njëjtat nuk janë të përfshira në normën efektive të interesit, prandaj të njëjtat duhet të realizohen me fondet e juaja dhe në mënyrën dhe kohën e kërkuar.
Parapagimi i kredisë -
1. Konsumatori ka të drejtë në çdo kohë para afatit të maturimit të shlyejë plotësisht ose pjesërisht
detyrimet e tij nga marrëveshja e kredisë konsumatore. Në këtë rast, kredi-dhënësi duhet të bëj
një reduktim të kostos totale të kredisë. Ky reduktim konsiston në uljen e interesit dhe kostot
e aplikuara mbi pjesën e pashlyer të kredisë, për periudhën e mbetur sipas marrëveshjes së
kredisë. Pas pranimit të kërkesës për parapagim të kredisë, kredi-dhënësi duhet që ti përfundojë
të gjitha procedurat e mbylljes së kredisë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve.
2. Në rastin e shlyerjes së kredisë para afatit, kredi-dhënësi ka të drejtën mbi kompensimin e drejtë dhe arsyeshëm të kostove që ndërlidhen direkt me shlyerjen e kredisë para afatit, me kusht se shlyerja para afatit i përket periudhës përgjatë së cilës norma e interesit është fikse, siç është përcaktuar në marrëveshjen e kredisë.
3. Nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është mbi një (1) vit, kompensimi i caktuar në paragrafin 2 të këtij neni, nuk tejkalon një (1%) përqind të shumës së kredisë së paguar para afatit dhe nëse kjo periudhë nuk kalon një (1) vit, kompensimi nuk
tejkalon zero pike pesë (0,5%) për qind të shumës së kredisë -kryegjësë së paguar para afatit.
4. Kompensimi për pagesën para afatit të maturimit nuk do të kërkohet
4.1. nëse shlyerja realizohet në bazë të një kontrate sigurimi, e cila ka si qëllim shlyerjen e kredisë;
4.2. në rastin e kredisë në formën e mbitërheqjes; OSE
4.3. nëse shlyerja e kredisë para afatit i përket një periudhe për të cilën norma e kredisë
nuk është fikse.
E drejta për tërheqje nga Marrëveshja - Ju keni të drejtë që të tërhiqeni nga kjo marrëveshja mbi kredinë konsumuese, brenda një periudhe kalendarike katërmbëdhjetë (14) ditore. Ky afat fillon nga data e nënshkrimit të kontratës. Përpara ushtrimit të kësaj të drejte, ju duhet të njoftoni Huadhënësin për synimin tuaj (brenda afatit të lartcekur prej katërmbëdhjetë (14) ditëve) për t’u tërhequr nga marrëveshja e kredisë.
Në qoftë se kredia është disbursuar dhe përfituar nga ju dhe në qoftë se ju ushtroni të drejtën për t’u tërhequr nga marrëveshja, Huadhënësi do të ju njoftojë për shumën e kredisë që duhet t’i rikthehet nga ana juaj. Kjo vlerë përbëhet nga shuma e kryegjësë dhe interesit për ditët përkatëse, si dhe shpenzimet e huadhënësit, duke përfshirë edhe ato shpenzime të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kredisë.
Obligimi për përmbushje të kushteve të kredisë - Ju jeni të obliguar që të përmbushni me kohë të gjitha obligimet që dalin nga marreveshja mbi kredinë. Në të kundërtën, Paysera ka të drejtë të ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për të realizuar të drejtat e veta lidhur me marrëveshjen e kredisë, duke nënkuptuar edhe inicimin e procedurës përmbarimore për sigurim të kredisë.
Të drejtat e Paysera-s – Në rast se ju dështoni në përmbushjen e obligimeve të kredisë, atëherë Paysera do të ketë të drejtë që të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të realizuar të drejtat e veta mbi kredinë, duke përfshirë kërkesën për pagesë të plotë të kredisë nga ana juaj, bllokimin dhe debitimin e të gjitha llogarive tuaja në Paysera, inicimin e procedurave gjyqësore dhe përmbarimore me qëllim të realizimit të kërkesave të veta, lidhur me këtë kredi.
E drejta për ankesë - Përmes kësaj, ju inforomoheni se, për çfarëdo vërejtje apo ankese lidhur me këtë marrëveshje, mund t’i drejtoheni Paysera-s përmes njërës nga mënyrat në vijim: a) adresës postare Paysera Kosova Sh.P.K. Perandori Justinian nr.132, Pejton Prishtine 10000 Prishtinë, Njësia për Trajtimin e Ankesave; e) përmes numrave të tel +38338607607 dhe +38349456 021. Nëse nuk ndaheni të kënaqur me përgjigjën e Paysera-s, atëherë mund t’i drejtoheni BQK-së, Gjykatës, apo ndonjë institucioni tjetër, për trajtimin e ankesave tuaja.
E drejta për të kërkuar draftin e marrëveshjes para nënshkrimit të saj - Para nënshkrimit të marrëveshjes për kredi, ju keni të drejtë të kërkoni draftin e kësaj marrëveshje, pa pagesë, në mënyrë që ta lexoni atë para se ta nënshkruani dhe të informoheni mbi të gjitha të drejtat dhe detyrimet tuaja me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
E drejta për informata shtesë - Nëse informatat e shënuara në këtë dokument janë të pamjaftueshme, që ju të kuptoni saktë afatet dhe kushtet e kësaj kredie, apo të drejtat dhe obligimet tuaja lidhur me këtë kredi, atëherë mund të kërkoni sqarime shtesë nga Paysera
Vlefshmëria e këtij informacioni parakontraktual - Ky informacion parakontraktual vlen 10 ditë nga data e nënshkrimit.